Të mirat e oqeanit në majën e trupit do të zhduken fare, nëse thahet kroi i zemrës

Ditët e kaluara në këtë planet, për disa nga ne janë thjeshtë ca faqe të rradhës të librit voluminoz të historisë së njerëzimit, ku më shumë se kudo tjetër dëshmohet injoranca e pafundme e qenies njerëzore. Ky libër, para se të ishte dëshmi , fillimisht ishte shpresë ; ishte shpresë përderisa të drejtat autoriale të këtij libri i takonin vetëm së kaluarës.
Por kur kuptuam se autorja e librit është e ardhmja vet, ia hapëm varrin shpresës. Ia hapëm varrin, mirëpo ende nuk po vdiste, sepse mbi sipërfaqen e tokës kishin ngelur ca kolosë të dijes, të cilët ndryshe nga të gjithë ne, ishin të vetëdijshëm rreth asaj se qenia njerëzore mbase është dy hapa larg majës, por nga ana tjetër është edhe një hap afër zhdukjes.
Në fakt, ata jo vetëm që ishin të vetëdijshëm për këtë gjendje, por në të njëjtën kohë ia kishin pas filluar edhe punës; ca nëpër laboratore, e shumë nëpër zyra, teksa ne të tjerëve na u tha të prisnim.
Pritja ishte e mirë. Pritja është e mirë, por ama vetëm atëherë kur nuk i kalon caqet e saj, sepse edhe pritja, si çdo gjë tjetër në këtë planet, kur kalon caqet, kthehet në të shëmtuarën e vetes.
Vonë e kuptuam që ata kolosë të dijes vërtet që ishin kolosë , por ama kolosë me këmbë të argjiles. Ata kishin punuar nëpër laboratore e zyra për t’i shtuar zerot në llogarinë e tyre bankare, në mënyrë që ato zero t’i ndihmojnë në qeverisjen e vendeve, prapa skenave.

Disa njerëz janë të mendimit se kjo është natyra e njeriut , e Marksi, sipas tyre , nuk duhet të fajësohet sepse njeriut i fle në vena kapitalizmi.
Mbase kanë të drejtë, mirëpo unë nuk mund të them se Tarzani e kishte në natyrën e tij animalizmin, ai thjesht “u edukua” nën rrethana që premtojnë atë rezultat.
Dhe mu për këtë arsye, sa mund ta gjykojmë Tarzanin për karakterin e tij, aq mund t’i fajësojmë edhe këta “kolosë të dijes”, për shkak se edhe ata dikur “u edukuan” në një rreth dhe nga një sistem edukativo-arsimor ; rreth dhe sistem që më bëjnë të ndiej më shumë keqardhje për pjesëtarët e tij se sa për vet Tarzanin.
Në fakt, çdokush që u edukua dhe vazhdon të edukohet sipas atij sistemi të ashtuquajtur
edukativo-arsimor, jo vetëm që nuk duhet të gjykohet, por mundet edhe të justifikohet , sepse këto sisteme edhe nëse praktikohen nga njeriu, planet i kanë të skicuara nga vet djalli. Janë të skicuara nga djalli, sepse një qenie njerëzore e ka të pamundur ta mendojë një sistem edukativo-arsimor ku memorizohen vetëm fakte, shumica e të cilave në thelb janë hipoteza të dështuara dhe ku truri i nxënësit për dymbëdhjetë vite me rradhë edukohet në atë mënyrë që prej atij truri leverdi të mund të ketë vetëm një zombi.
“Nuk është e vërtetë, vetëm shkolla e bëri gjeni njeriun!” – thonë qeveritarët teksa tentojnë të viktimizohen për krimin që kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë. E keqja është se, kanë të drejtë! Shkolla po që bëri dhe vazhdon të bëjë gjeni, por ama gjeni injorantë!

Shkolla bën gjeni injorantë, sepse edhe dija që ofron Harvard ngelet e panevojshme kur gjatë gjithë jetës akademike nuk i kushtohet vëmendje emocioneve të gjeniut.
Bën gjeni injorantë, sepse edhe po të posedojnë aftësinë për t’u ngjitur në hënë, nuk arrijnë të zbresin në pavetëdijen e tyre.
Bën gjeni injorantë, sepse teksa bëhen burra të shkencës, nuk munden dot të bëhen një baba në shtëpi. Por edhe më injorantë se ata bëhemi ne, kur gjykojmë vetëm rezultatin teksa anashkalojmë gjatë procesit të vlerësimit faktorët që e sjellin atë rezultat.
Ndryshe thënë, gjenitë nuk arrijnë të bëhen një baba në shtëpitë e tyre, sepse vet ata ishin fëmijët e baballarëve të cilët menduan se fëmija është një makinë kafeje ; e vetmja gjë që duhet t’i bësh është t’i japësh para.
Nuk arrijnë të zbresin në të pavetëdijshmen, sepse nënave të tyre rrallë herë u interesonte se si në të vërtetë ndjehen.
Nuk arrin të bëhet efektive as edhe dija e Harvardit, sepse në sytë e profesorëve ata ishin vetëm robotë që zgjidhnin detyra.
Por, nëse po ato qenie naive me shumë potencial, në procesin e kalitjes së karakterit gjatë viteve më kritike të jetës nuk do të kishin pas rrëshqitur në dorën e Hitlerëve të dashurisë dhe të Stalinëve të etikës, sot ata do të ishin personifikimet e dyerve të parajsës.
Nëse ato fëmijë kreativ do të kanalizonin energjinë e tyre tek idejimi i inovacioneve konstruktive, në vend të atyre inovacioneve destruktive që në praktikë nuk janë asgjë më shumë se shpërlarje e kompleksit të inferioritetit të tyre, sot gjeneratat e reja nuk do ta dinin kuptimin e fjalës “luftë”.
Në fund të fundit, nëse ato zemra të vogla dhe mendje të mëdha do të mbusheshin me dashuri, në vend të projekcioneve të komplekseve të të rriturve, sot lumturia nuk do të perceptohej si tipar i utopive në universet fiktive.

Mirëpo, për fatin e keq të demonëve të fronit të qeverisjes, dëshira e njeriut për të qëndruar i kyçur në realitetin absolut ngelet e përhershme, e si pasojë e kësaj, herët apo vonë do të kuptohet që fati i jonë i deritanishëm nuk është gjë tjetër, pos një vazhdimësi e ideologjisë konservative të paraardhësve tanë, kryesisht të autoriteteve të jetëve tona. Nga ai “fat”, do të mundemi të shpëtojmë vetëm kur do të kuptojmë se rreziku i vetëm janë po ato autoritete ; qofshin ato të shtëpisë, të shkollës apo të qeverisë, të cilët mendojnë se Ajnshtajni ishte më i suksesshmi për shkak të inteligjencës dhe gjërave që ai ia solli botës së shkencës (lexo: pushtetit).
Suksesi i njeriut nuk definohet vetëm sipas inteligjencës racionale të tij (madje, përkundër kësaj, kumtohet se njerëzit më të suksesshëm janë ata me inteligjencë të lartë emocionale), sepse në fund të ditës, çfarë vlere i ngelet suksesit tonë në botën shkencore, nëse nga ana tjetër po shkatërrojmë botën e të afërmve tanë, ashtu siç bëri Ajnshtajn me fëmijët e tij?
Njerëzimi nuk ka më nevojë për mendje të shkencës të cilat shesin ide në këmbim të jetëve.

Kjo asnjëherë nuk do të thotë se ne dëshirojmë të shpëtojmë duke fajësuar shkencën, por ama gjithmonë do të thotë se e vlersojmë më shumë atë që nuk kthehet – jetën.
Madje, e vlersojmë aq shumë sa të kuptojmë që me një jetë, jo vetëm që nuk mund t’i japim përgjigjet e mileniumeve, por as nuk ia vlen t’i japim, sepse edhe pyetjet që mendojmë se janë tonat, në thelb janë përgjigje për Atë që na ka mundësuar të parashtrojmë pyetje në rradhë të parë.
Andaj, të mos lejojmë që kroi i zemrës të thahet, sepse nëse kroi i zemrës thahet, atëherë nuk do të zhduken vetëm të mirat e oqeanit në majën e trupit, por do të zhduket edhe trupi vet, apo siç thotë edhe vet Jungu : “Nënvlerësimi i faktorit psikologjik, do të kthehet në hakmarrje të ashpër kundër vetes.”

 

Dhurata Alija